Besnik Pëllumbi, “Keçi” ballori i Partizanit që solli barazpeshën me Oransodën
Besnik Pëllumbi, “Keçi” ballori i Partizanit që solli barazpeshën me Oransodën 28.10.2014 | 20:00
Përqendrimi familjes Pëllumbi edhe sot e kësaj dite në qendër të Tiranës, dëshmon më së miri për autoktoninë e hershme të këtij fisi të nderuar, shquar gjithnjë për urtësi, bujari e atdhetari. Pikërisht në një ambjent të tillë lindi, u rrit eu formua si sportist Besnik Pëllumbi ballori i shquar i ekipit të Partizanit, i asaj skuadre të paharruar basketbolli, që bëri emër në vitet 60-të e 70-të të shekullit të kaluar. Si të gjithë bashkëmoshatarët, djem nga familjet Petrela, Beqiri, Plaku, Koci etj, krejt natyrshëm edhe Besniku i vogël fillimisht rendi pas topit me ëndrrën për t’u bërë futbollist. Madje, aq më tepër ngaqë në ato vite shembullin e kishte tek i vëllai Haxhiu (Xhiku), që rrugën sportive si futbollist e kishte nisur me Tiranën (më pas me Dinamon dhe e mbylli me një karrierë brilante, gjyqtar futbolli i kategorisë ndërkombëtare, ku për kohën u cilësua ndër më të mirët).
 
Por, në oborrin e shkollës 7-vjecare “10 Korriku” (sot gjimnazi “Sinan Tafaj”), e cila për fatin e tij të mirë gjendej thuajse ngjitur me shtëpinë, një ditë u vendosën dy tabela basketbolli. Herën e parë kur u gjend aty, si pakuptuar lëshoi topin me dorë drejt koshit, herët e tjera enkas për të provuar kënaqësinë që i pati dhënë depërtimi i tij brënda hekurit të metaltë dita ditës filloi ta grishë gjithnjë e më shumë, madje për të mos u larguar që aty. Dhe kështu pas kësaj një pjesë të mirë të kohës së lirë bashkë me shokët e tij Fatjon Tugu, Shkëlqim Ciço, Skënder Beqiri etj., e kalonte pikërisht aty, pa harruar që jo pak herë harroheshin për orë të tëra.
 
Ndërkohë 7-vjecarja “10 korriku” u bë gjimnaz dhe kur në vitin shkollor 1960-1961 Besniku nisi vitin e parë të shkollës së mesme, pedagog i fiskulturës ishte emëruar specialisti i basketbollit Qemal Shalsi, i cili takimin e parë me “Keçin” e kujton kështu: “Unë isha shok me Haxhiun vëllanë e tij më të madh, djalë i një familje qytetare të nderuar e të respektuar. Besniku ishte më i vogël. Me të u njoha në gjimnazin “10 Korriku” të asaj kohe, ku u hapën klasat e para sportive në basketboll. Ai qe ndër të parët që u regjistrua. Gjatë stërvitjeve “Keçi” tregonte interes të vecantë për të mësuar me korrektësi bazat e teknikës e të taktikës dhe përsosjen e vazhdueshme të këtyre elementëve themelorë në lojën e koshit. Madje ishte pikërisht kjo korrektësi, që më la impresionin se basketbollit ai do t’i përkushtohej plotësisht. Dhe kështu ndodhi. Pas kësaj e ndoqa me shumë vëmendje e dashamirsi rrugën e tij sportive”. Këto ishin vetëm hapat e parë të “Kecit” në rrugën e lojës së koshit, e cila një hop të dukshëm cilësor pati në kohën, kur u bë pjesë e ekipit të të rinjve të Partizanit.
 
Në atë kohë saktësisht në vitin 1962 u vendos që Tirana të ndahej sipas rajoneve çka donte të thoshte që të tre klubet kryeqytetas “Partizani”, “17 Nëntori” e “Dinamo” do të kishin nën juridiksion zona të caktuara, ku do të përzgjidhnin elementë sportivë për sporte të ndryshëm. Kështu ndër të tjera KS “Partizani” i caktuan gjimnazin “Sami Frashëri” i sapo ndërtuar në atë kohë, ku qenë transferuar gjithë nxënësit e gjimnazit “10 Korriku”, e padyshim edhe Besnik Pëllumbi. Pas këtij momenti në këtë shkollë për të përzgjedhur elementë të talentuar në sporte të ndryshëm u atashuan shumë nga specialistët e këtij klubi. Mes tyre qe edhe “Mjeshtri i Madh” basketbollisti i shquar e kapiteni i “Partizanit” Nijazi Lleshi, I cili edhe pse vijonte të luante ende kishte vendosur të krijonte ekipin e të rinjve. “Synimi ynë, – kujton Nijazi Lleshi – ishte që pas kësaj ekipi i “Partizanit” të mos furnizohej më nga basketbollistë të rretheve, që vinin për të kryer shërbimin ushtarak. Cka donte të thoshte që tash e mbrapa do të kishim një bazë të shëndoshë furnizimi me elementin e duhur për ekipin e basketbollit”. Si edhe ndodhi realisht. Falë punës pasionante të mjeshtrit Lleshi ekipi i të rinjve të Partizanit, që në vitin e parë të krijimit u rendit i dyti në kampionat. Dhe në radhët e tij binte në sy loja e kujdesshme e plot rendiment e ballorit Besnik Pëllumbi, të cilin trajneri i njohur e kishte përzgjedhur ndër të parët mes djemve të talentuar të gjimnazit “Sami Frashëri”.
 
Duke sjellë në kujtesë “Keçin” e atyre viteve Nijazi Lleshi rrëfen: “Ishte jo vetëm basketbollist i talentuar, por edhe lojtar i zgjuar e me horizont. Stërvitej me ngulm e përkushtim dhe në saj të punës së vazhdueshme arriti të bëhej basketbollist i nivelit të lartë. Spikati mbi të gjithë si lojtar ballor dhe pati shumë efektivitet në gjuajtjet nga distanca e mesme. Madje, në një nga këto gjuajtje shumë karakteristike për të, arriti të shënoj në një moment kulmor, duke i barazuar shifrat në 73-73, kur kishin mbetur vetëm 7 sekonda lojë në një përballje të paharruar me Oransodën kampionen e Italisë, në radhët e së cilës luanin baskëtbollistët e shquar amerikanë Lyn, Burgas dhe braziljanët Dankuila e De Simeon”.
 
Fillimi i vitit 1963 do ta gjej Besnikun në radhët e ekipit të të rriturve të “Partizanit”. Pra edhe pse i ri në moshë ai do të bëhej pjestar i një ekipi, i cili shumë shpejt do të spikaste në kampionatet e koshit shqiptar. Lidhur me këtë fakt mjeshtri i njohur Astrit Greva trajneri i shquar i “Partizanit” të asaj periudhe kujton: “Ishte një moment kyç në historinë e ekipit, madje mjaft i rëndësishëm sepse për herë të parë, ndryshe nga ajo praktikë e vjetër, me anën e së cilës skuadra ndërtohej mbi bazën e basketbollistëve thirrur nga rrethet për të kryer shërbimin e detyruar ushtarak, për herë të parë ekipin e ndërtuam me elementë, që ishin përgatitur në ekipin e të rinjve të klubit tonë. Kryesisht djem nga gjimnazet “Sami Frashëri”, “Partizani” e shkolla “Skënderbej”. Kështu atë sezon ekipi unë u ndërtua mbi bazën e lojtarëve të rinj shumë të talentuar: Agim Fagu, Besnik Pëllumbi, Guxim Bekteshi, Dadan Përmeti, Edmond Moja, Patriot Aliaj, Ylli Kokushta, Vladimir Cuçi, Astrit Hutka etj. Vërtet ecuria e ekipit në kampionat atë vit qe paksa e vështirë, por në aspektin e konsolidimit e hamonizimit të grupit në bashkëveprimet kombinative qe e nivelit tejet të kënaqshëm cilësorë, çka u pa sezonet e ardhshëm ku “Partizani” u shpall kampion dhe për disa vite radhazi e bëri pronë të tij titullin kampion”. Duke u ndalur tek cilësitë e veçanta të “Keçit” tekniku Greva thekson: “Ashtu siç kishte emrin Besnik, ai ishte vërtet besnik në zbatimin e porosive që i jepja të kryente. Dhe pse qe i tilli në lojën e tij të një organizatori tipik ai më së shumti punonte t’u krijonte kushte, hapësira e mundësi shokve për të shënuar, se sa vetes. Pra në përgjithsi ai ishte një djalë me shumë edukatë, serioz në stërvitje, mjaft puntor, i dashur me shokët dhe lojtar i sakrificës. Pikërisht pse kishte këto cilësi u pranua nga të gjithë në detyrën e kapitenit të ekipit. Ndërkohë niveli cilësor i lojës së tij falë përkushtimit e impenjimit total erdhi gjithnjë në rritje. Madje, mbërriti kuotat e një përsosmërie tejet të kënaqshme, e cila nga viti në vit pësonte rritje të ndjeshme. Dhe pas kësaj Besnik Pëllumbi u bë pjesë e ekipit kombëtar, në radhët e të cilit fillimisht u aktivizua në Universiadën e Torinos 1969 dhe dy vite më vonë në Kaljari të Italisë në grupin eliminator për në kampionatin europian. “Keçi” qe shumë shok me Agim Fagun si në fushën e lojës, ku bashkëpunimi i tyre ishte në perfeksion, ashtu edhe në shkollë, ku studionin bashkë në të njejtin fakultet por, edhe jashtë saj gjithnjë bashkë do i shikoje, por frytet më të shumta miqësia e tyre i dha atje mbi parketin e fushës”. Mjeshtri Greva sjell ndërmend shumë ndeshje si ato të nivelit kombëtar por edhe ndërkombëtar në të cilat loja e kujdesshme e “Keçit” ka pasur efektivitetin më të madh. Mes tyre ai veçon takimin e dhjetorit 1968 me Oransodën kampionen e Italisë. “Dua ta veçoj atë ndeshje, – thotë ai – sepse ka qenë një takim i jashtzakonshëm. Për herë të parë në vendin tonë luanin basketbollistë amerikanë. Dy të tillë kishte Oransoda: Lyn e Burgas pa harruar dy të tjerë braziljanë; Dankuila e De Simeone. Për të ndjekur takimin kishte ardhur vetë presidenti i FIBA-s Xhons. Në atë ndeshje “Keçi” shënoi koshin e artë, atë të barazimit 73-73 kur kishin mbetur vetëm 7 sekonda lojë”. Dhe pas kësaj tekniku i sprovuar Greva shkon e zë vend në atë cep të parketit të “Asllan Rusit” ku mbas gjuajtjes “Keçi” vendosi barazpeshën e rezultatit me Oransodën.
Por, edhe pse karriera e tij sportive mbërriti nivelet e një shkëlqimi të plotë, qe lufta e klasave ajo që ia zbehu vezullimin në nivelin zero. Madje, në një kohë kur ai ishte në kulmin e plotë të aftësive dhe kur kishte ende edhe shumë për të dhënë mbi parket. Për fatin e keq paskësaj jeta e tij mori një rrokullimë të paparë në të gjitha drejtimet. I papunë. I pezulluar nga sporti. I ngujuar. I braktisur. Jeta e tij pas këtij çasti i gjasonte një tuneli të errët, në fund të të cilit nuk dukej asnjë pikëz drite. Por, gjithsesi të gjithave arriti t’u bëj ballë me një stoicizëm të paparë, sigurisht falë karakterit e edukatës së shëndoshë familjare që kishte trashëguar. Vetëm nga mesi i viteve 80-të puna në fabrikën e llullave, solli ndryshimin e duhur. Jetës së tij iu e kthye buzëqeshja. Pas kësaj krijon familjen. I lindin fëmijët. Dhe pas ndryshimeve të mëdha në vitin 1992 emërohet
drejtor i Drejtorisë së Përgjithëshme të Turizmit. Detyrë të cilën e kryen me devotshmëri deri në vitin 1997. Paskësaj me të vëllanë Haxhiun krijojnë dhe administrojnë në pronën e tyre një biznes të përbashkët familjar, derisa më 2004 ende i ri në moshë u nda nga jeta, duke mbetur në kujtesën e të gjithë sportdashsëve, shokve e miqve si “Keçi” ballori i Partizanit, që solli barazpeshën me Oransodën.
 
Nofka “Keçi”
 
Nuk ka pasur shtëpi tiranse që ve[mas oborrit, ku mbizotëronin lulet, në pjesën e mbrapme të mos kishte kopështin, ku nuk mungonin drurët frutorë, dy tre parcela të vogla toke, ku mbillnin zarzavate dhe mbanin pula e pse jo ndonjë lopë, apo bagëti të imta dhi apo dele. Dhe në këtë drejtim sigurisht nuk bënte përjashtim familja e nderuar tiranse Pëllumbi, e cila ditën e 7 marsit 1946 ve[mas gëzimit për ardhjen në jetë të një djali, përjetoi edhe një ngjarje tjetër. Njëra nga dhitë që mbanin në atë barangën e vogël në fund të kopshtit polli një keç. Kështu ky përkim u bë shkak që Besnikut të vogël që në djep t’i thonin me përkëdheli “Keçi”. Nofkë, kjo që e shoqëroi gjatë gjithë jetës dhe ai sa herë që e thirrnin “Keçi”, nuk u shqetësua asnjëherë.
 
Koshi i “artë” ndaj Oransodës
 
Shikuesit e asaj mbrëmje të largët të dhjetorit 1968, që kishin mbushur shkallët e pallatit të sportit “Partizani” (sot “Asllan Rusi”) ishin ngritur të gjithë më këmbë. “Kishin mbetur për t’u luajtur edhe 7 sekonda. – tregon Astrit Greva trajner i Partizanit në atë kohë. – Kampionia e Italisë Oransoda në përballjen e vlefshme për kupën e kampioneve ndaj Partizanit kryesonte me dy pikë, 73-71. Nuk kishte më kohë. Udhëzimi im për djemtë: “Duhet të shënoni medoemos”. Ekipi nisi sulmin. Shikuesit mbajtën frymën. Sekondat kalojnë. Një…dy…tre…Me topin në zotërim në pozicion anësor të tabelës së italianëve gjendet “Keçi”, që pasi shmang me mjeshtri ndërhyrjen e Rekalkatit, gjuan. Kërcimet e fuqishme dhe krahët e hapur të gjigandëve Dankuila e Lyn e kanë të pamundur të ndalin trajektoren e kalibruar saktë. Dhe kosh. Shifrat janë barazuar 73-73. Shikuesit shpërthejnë në një entuziasëm të paparë.
Gjithçka ka përfunduar. Kampionët e Italisë nuk arrijnë të fitojnë në Tiranë. Agim Fagu është heroi i asaj ndeshje. Ka shënuar 48 pikë. Por koshin e fundit, atë që vendosi barazpeshën e ka realizuar “Keçi”, ndaj ai shpejton të përqafoj të parin atë, shokun e tij të skuadrës.
 
Problemet politike
 
Ne 1975 merr fund karriera a tij pasi daja denohet dhe asgjesohet nga regjimi, keshtu qe edhe te afermit, perfshi dhe Besnik Pellumbin, vuajten pasojat. Ai u detyrua te largohej nga Partizani dhe u transferua me pune ne Puke. Fillimisht ai u ngujua ne shtepi per tre jave nga goditja psikologjike e me pas filloi pune ne ferme e me pas ne fabriken e llullave.
 
Skeda 
 
Emri: Besnik
Mbiemri: Pëllumbi
Datëlindja: 7 mars 1946
Vendlindja: Tiranë
Roli: Ballor
Numri në fanellë: 8
Ekipet si basketbollist:
Të rinjtë e Partizanit: 1962-1964
Të rriturit e Partizanit: 1964-1974
Trofe të fituar: 7 herë kampion i Shqipërisë
1963-1964, 1967-1968, 1968-1969, 1969-1970, 1971-1972, 1972-1973, 1973-1974
Me ekipin kombëtar: 10 ndeshje
Arsimimi: Universiteti i Tiranës, diplomuar për gjuhë angleze
Vlerësime: “Mjeshtër Sporti”, “Mjeshtër i Madh”
U nda nga jeta: 28 mars 2004 
 
Marre nga shkrimi i Bedri Alimehmetit nga Gazeta Telegraf me disa ndryshime 
SHPËRNDAJE KËTË LAJM

SuperLiga

Partizani.Net | 2002-2015